Berisha: Qeveria të reflektojë, ndryshe do të përballet me protesta

Në kushtet e krizës së çmimeve, demokratët kanë dalë me dy propozime konkrete për lehtësimin e barrës financiare që rëndon mbi qytetarët.

Sali Berisha doli për t’i bërë publike vetë propozimet për rimbursimin 100 për qind nga qeveria të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban si dhe përgjysmimin e taksës mbi karburantin.

Sali Berisha: Vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban, përgjysmimin e menjëhershëm të taksimit të naftës.

Propozimet sipas kreut të demokratëve janë hartuar mbi shembuj që vijnë nga vendet europiane, edhe pse në Shqipëri sipas tij rritja e çmimeve është artificiale dhe e shkaktuar nga faktorë që lidhen me keqqeverisjen.

Sali Berisha: Nga bordet e Edi Ramës, të përdorimit të të ardhurave buxhetore në funksion të vjedhjeve dhe shpërdorimit të tyre masiv, siç është rasti i Korridorit Blu apo korridorit të hajnisë.

Berisha shprehet i vetëdijshëm që Qeveria Rama nuk do t’i mbështesë propozimet e Partisë Demokratike, por ai i bën apel gjithsesi që të reflektojnë sepse përndryshe do të jete protesta qytetare thotë ai që do t’i imponojë këto masa emergjente për ekonomitë familjare të shqiptarëve.

Tv Klan