Partia Demokratike ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të bëjë publike faktet dhe provat që disponon për një zjarr të rënë në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në një reagim për mediat akuzon ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu se ka manipuluar dokumentet përmes djegies.

“Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie. Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër. Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu. Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë”.

Ndërsa ministrja Manastirliu, në një reagim të mëhershëm, ka mohuar pretendimet e Partisë Demokratike.

“Nuk ka asnjë zjarr në Ministrinë e Shëndetësisë! Tymi i zjarrit imagjinar që po shihni dhe dëgjoni, del vetëm nga koka e kryetarit të PD. Dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi”. /tvklan.al