Nga dita e sotme, Partia Demokratike ka nisur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Kryesia e selisë blu mori vendim këtë të enjte që procesi të jetë i ndarë në katër faza.

1.Procesi në nivel Dege për identifikimin dhe propozimin e kandidaturave.

2.Procesi i seleksionimit të kandidaturave nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.

3.Procesi i konsultimit me parimin “një anëtar, një votë”  për kandidatët e mundshëm nga anëtarësia.

4.Përzgjedhja dhe caktimi nga kryesia e partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.

Sipas vendimit të miratuar nga kryesia, procesi i përzgjedhjes duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Ndërkohë duhet të realizohet pa asnjë paragjykim për personat e propozuar.

Kandidatët që duan të përfaqësojnë selinë blu do të duhet të plotësojnë disa kritere që nisin që nga arsimi i lartë e deri që të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të tjera institucione që kanë lidhje me komunizmin.

Gjithashtu, PD ka parasysh që përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve ndërsa ajo e të rinjve jo më pak se 10%.

Nga procesi i propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjet së kandidaturave nuk do t’i nënshtrohet Lulzim Basha pasi është në cilësinë e kryetarit të partisë, Sekretari i Përgjithshëm, Nënkryetarët, kryetari i Këshillit Kombëtar dhe kryeministrat gjatë qeverisjes së PD-së./tvklan.al