Baza vendos sipas parimit “një anëtar, një votë”

Kur na ndan një vit nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, demokratët nisën procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia.

Katër janë fazat nëpër të cilat do të kalojë procesi “një anëtar, një votë”, që nis nga propozimi i kandidaturave, konsultimet e deri tek miratimi në Këshillin Kombëtar.

Çdo kandidat që do të propozohet nga baza më parë duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve nëse ka qenë përdorues i lëndëve narkotike apo i dënuar me vendim jopërfundimtar si dhe të formës së prerë brenda apo jashtë vendit.

Sipas udhëzimit, 30 % e kandidatëve duhet të jenë gra, 10 % të rinj.

Kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia duhet të përbëjnë 80% të listës së propozimeve, ndërsa 20% përzgjidhen nga Kryesia e Partisë Demokratike, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politike apo pronarëve, përfaqësues të diasporës, të sipërmarrjes, si dhe personalitete me kontribut të gjatë në parti.

Për herë të parë do të ngrihet edhe një komision i vlerësimit të kandidaturave, ndërsa zyrtarizimi i listës do të bëhet nga kryesia e partisë dhe miratimi i saj nga Këshilli Kombëtar.

Pjesë e garës nuk do jenë personat qe janë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit, kanë qenë funksionarë të lartë para viteve ‘90, apo bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

Tv Klan