Një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Partia Demokratike ka nisur procesin e riorganizimit të saj në mbarë vendin.

Vendimet e para, që dolën nga mbledhja e kryesisë, përcaktuan krerët e grupeve të punës që do të drejtojnë fushatën e partisë në 12 qarqet e vendit, si dhe emërimet sekretarëve dhe krerëve të disa prej departamenteve të Partisë Demokratike.

Tirana, që është edhe qarku më i madh, i është lënë numrit dy, njëherazi edhe kryetar i Grupit Parlamentar të demokratëve, Edi Paloka.

Në Durrës do të jetë Arben Imami.

Arben Ristani është vendosur në Shkodër, ndërsa në Elbasan do të jetë Edmond Spaho.

Genc Ruli në Korçë ndërsa Ritvan Bode në Berat.

Në Vlorë do të jetë Flamur Noka, ndërsa Lezha i është besuar Jemin Gjanës, Fieri Genc Pollos, Gjirokastra, Tritan Shehut.

Në Dibër do të jetë Gent Strazimiri dhe në Kukës, Sherefedin Shehu.

Lista, që mori dhe miratimin e kryesisë, dominohet nga ish – ministra të qeverisë “Berisha”, ndërsa prurjet e reja të kryetarit Basha vihen re në emërimet sekretarëve dhe krerëve të disa prej departamenteve të Partisë Demokratike.

Pas mbledhjes së kryesisë, kreu i demokratëve e cilësoi një vendim të rëndësishëm riorganizimin e partisë, të cilës tha se i është shtuar edhe një degë e re në Londër.

Basha tha se e kishte njohur kryesinë e partisë me propozimin e tij, për përfaqësimin në listat e ardhshme zgjedhore të 35% të rinjve. Sipas tij, demokratët tashmë kanë përfunduar edhe programin, diskutimi për të cilin ka nisur me qytetarët, e që sipas kreut të opozitës synon daljen e vendit nga kriza.

Jolldiz Mitro/Tv Klan