Paloka: Nuk kanë rëndësi datat, por standardet

Ndonëse e njeh dekretin e Presidentit si të vetmi akt kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 Tetor, Partia Demokratike nuk do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nënkryetari Edi Paloka thotë se rëndësi kanë standardet, ku largimi i Kryeministrit Rama vijon të mbetet një kusht i panegociueshëm.

Regjistrohemi apo nuk regjistrohemi kjo është çështje që varet nga vendimet tona, ne vendimet i kemi marrë. Për ne nuk kanë rëndësi datat e zgjedhjeve, për ne rëndësi kanë standardet e zgjedhjeve. Nuk kemi lëvizur nga ky qëndrim. Por kjo nuk i lehtëson institucionet nga detyrimi kushtetues që kanë dhe që po e shkelin me të dy këmbët”.

Për daljen nga kriza Paloka thotë se nevojitet një tryezë dialogu, ku kushti për Edi Ramën është që të ulet në bisedime si Kryetar i Partisë Socialiste.

“Rama si kryeministër nuk mund të ulet në tavolinë më PD dhe me opozitën. Si kryetar i PS është çështje e tyre, ne nuk mund të vendosim kush është kryetari i Partisë Socialiste”.

Bastin e vënë për mosdaljen e kryebashkiakëve nga zyrat deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike Lulzim Basha e humbi, por nënkryetari i demokratëve thotë se pushteti lokal u grabit me dhunë nga Kryeministri.

“Si mund të marrësh guximin dhe të hysh në një zyrë kur ke marrë 6 % të votave? Prandaj veprimet që po bëjnë ata janë veprime të banditëve, ca grabitësve që thyejnë dyer dhe hyjnë në pronën e tjetri”.

Një ditë më parë kryebashkiaku i Kamzës, një ndër më të ashprit në qëndrimin e tij sa i përket lënies së zyrës tha se në vend të përplasjes e dhunës ishte i gatshëm të sakrifikohej, duke mos i çuar qytetarët në përplasje e gjakderdhje.

TV Klan