Opozita nuk ka një datë për protestën e radhës, ndonëse të enjten Kuvendi do të mblidhet në orën 10:00 në seancë plenare.

Kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike, i mbledhur për më shumë se dy orë në selinë blu doli pa një vendim, por Lulzim Basha tha pas takimit se protestat do të vazhdojnë deri në deri në rrëzimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Do t’ju informojmë për çdo datë dhe për çdo zhvillim. Vendimi i kryesisë është në fuqi, këto janë takime organizative. Protestat do të vazhdojnë dhe do të fuqizohen nga dita në ditë, nga java në javë, deri sa të realizojmë atë që do çdo shqiptar. Zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri nga populli, për popullin dhe të popullit”

Gjithçka po mbahet diskrete, sikundër në protestën e 16 Marsit, që nisi si një tubim marshimi rreth Kryeministrisë e që më pas degjeneroi në dhunë përpara parlamentit.

Befasia duket se do të jetë edhe tipari  i protestave që opozita do të udhëheqë pas asaj të së shtunës. Kjo flet qartazi për një strategji të re të Lulzim Bashës, të cilën nuk e ka ndarë as me krerët e PD-së në rrethe gjatë takimit që pati me ta nëse të enjten do të protestohet apo jo përpara parlamentit.

Tv Klan