Boçi: Nuk krijojmë konflikt, tubim paqësor

Ndonëse policia ua ka ndaluar tubimin në 6 Dhjetor, demokratët jo vetëm që nuk tërhiqen nga mbajtja e protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por tashmë kanë gati edhe sloganin me të cilin kanë thirrur qytetarët në orën 12:00.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e sheh më shumë si një konflikt artificial çështjen e cenimit të sigurisë kombëtare, duke garantuar mbarëvajtjen paqësore të tubimit.

Ka një shtytje më shumë për të krijuar një artificë konfliktuale që s’duhet të ekzistojë. Bendi i zhvillimit të protestës është disi i sanksionuar në atë ligjin e pashkruar të zhvillimit të protestave. Ne i kemi bërë para Kryeministrisë, do vazhdojmë t’i bëjmë para Kryeministrisë. I kemi bërë në mënyrë paqësore, do vazhdojmë t’i bëjmë në mënyrë paqësore dhe konsiderojmë që nuk ka asnjë lloj rreziku”, tha Boçi.

Dy ditë përpara protestës, Partia Demokratike do të zhvillojë edhe zgjedhjet e primareve, ku në disa bashki siç është ajo e  Memaliajt, Përrenjasit dhe Kuçovës do të garojnë edhe kandidatë të Partisë së Lirisë. Ndërkohë në bashkitë që i janë lënë minoritetit grek dhe atij maqedonas, siç është ajo e Finiqit, Dropullit, Himarës dhe Pustecit nuk do ketë garë. Boçi, i cili është kandidat në këto primare për bashkinë e Elbasanit, thotë se procesi është në fazën përfundimtare.

Dhe përderisa primaret do të zhvillohen në të gjitha vendet, dhe tek ata që ka një kandidat do të thotë që ky është procesi themelor, kryesor, i vlerësuar si  procesi që do të japë produktin më të mirë, më të vlefshëm për kandidatët e opozitës në zgjedhjet lokale”.

Përsëritja e të njëjtit skenar si ai i 5 Marsit nuk është aspak situatë e këndshme për Boçin, i cili thotë se pavarësisht daljes së Alibeajt me kandidatët e tij në këto zgjedhje, ka ende vend për negociata e bashkim në radhët e demokratëve.

Tv Klan