PD padit në SPAK Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit



PD padit në SPAK Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

11:15 14/12/2020

Partia Demokratike ka paditur në SPAK Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, për dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestave për vrasjen e Klodian Rashës.

Sipas selisë blu, Ardi Veliu ka shkelur ligjin duke konsumuar vepra penale si shpërdorim detyre, kryerje të veprime arbitrare, pengim të së drejtës për t’u grumbulluar, dëmtime të tjera me dashje dhe mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.

Në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Partia Demokratike vë në dukje se gjatë protestave është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore dhe i gazit lotsjellës.

Po kështu, PD e akuzon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit edhe për dhunë ndaj të miturve dhe se kanë ndaluar në rrugë qytetarë që nuk kanë qenë pjesë e protestës.

Me anë të këtij kallëzimi, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që ende kanë shpresën se vetëm zbatimi i Ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë”, i drejtohet Partia Demokratike SPAK-ut.  /tvklan.al







Të ngjashme