Basha: Proces demokratik. Rama mban në kryesi Dakon e krimit

Partia Demokratike përmbyll me kryeqytetin procesin e konsultimit për kandidatët e saj për deputetë dhe kryetarë bashkie. Anëtarësia e qarkut të Tiranës do të japë pëlqimin për 140 emra. Për kreun e demokratëve, i cili votoi në Njësinë nr.8, ky proces është parathënie e asaj që do të vijë pas 25 Prillit.

“Kjo është një garë dhe një festë demokracie brenda Partisë Demokratike”.

Nga procesi i nisur në PD, jo të paktë qenë emrat e ish-kryetarëve të bashkive apo edhe ish-deputetëve që u skualifikuan nga anëtarësia, mes të cilëve edhe ai i Klevis Balliut.

“Ky është një proces në të cilin vendos anëtarësia. Mbi votën e anëtarësisë nuk ka asgjë. Por ky nuk është një proces ku ka të përjashtuar. Ky është një proces ku nuk ka të humbur. Pa diskutim nga 3600 propozime mund të themi që shumica dërrmuese e tyre posedojnë kualitetet e përfaqësimit politik. Ju e dini fare mirë që s’ka parlament në botë që të ketë 3600 deputetë”.

Ironisë së Kryeministrit për një proces farsë në radhët e demokratëve, Lulzim basha iu kundërpërgjigj duke i kujtuar asamblenë e së shtunës.

“Mos prisni ju që ai të lavdërojë një proces demokratik. Për 22 vite karriera e tij është ngritur mbi parime antidemokratike, për 22 vite refuzon t’u bindet rregullave të garës. Nuk organizon gara në PS, i ka harruar zgjedhjet. Dje u  zhvillua një aktivitet dhe një fjalim tre orësh vetëm për të justifikuar mbajtjen në Kryesi të njerëzve që janë në listën e DASH, si Vangjush Dako”.

Në votimet e sotme në qarkun e Tiranës, pjesa më e madhe e emrave të kryesisë por dhe disa ish-deputetëve janë të përqëndruar në degët e kryeqytetit. Ish-deputeti Agron Shehaj është në degën nr.5, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka në degën 16, si dhe Frida Duma në degën nr.9.

Në sy bien edhe emra nga bota e sportit, artit e kulturës, mes të ilëve Robert Budina, ish-atletja Klodiana Shala, aktori i humorit Julian Deda, apo ish-futbollisti Andi lila, i cili është pjesë e listës së kandidatëve në degën e Kavajës.

Me përmbylljen e votimit lista do t’i kalojë komisionit të vlerësimit i cili do të bëjë seleksionimin final për t’i kaluar më pas emrat për votim në Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Krahas anëtarësisë, që ka të drejtën e 80% të propozimeve, 20 % e tyre do të vijnë nga Kryesia.

Tv Klan