Partia Demokratike përshëndeti fillimin e punës së SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.  Sipas selisë blu, fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.

“Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën.  Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas zyrës së shtypit të selisë blu, Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.  

Gjithashtu, partia Demokratike falenderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë deri më tani për bërjen funksionale të SPAK dhe për gatishmërinë e treguar për të vijuar mbështetjen për funksionimin e pavarur të SPAK.

Në Presidencë u zhvillua këtë të enjte ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK): Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani.

Në këtë mënyrë SPAK nis punën zyrtarisht nga kjo e enjte. Megjithatë që të funksionojë normalisht, do të duhet të ketë të paktën 10 anëtarë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krimet e kryera nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë.

Prokurorët e posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe të telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre. SPAK bazohet në modele që janë përdorur edhe në vende të tjera si Kroacia apo Rumania./tvklan.al