Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Partia Demokratike është duke sabotuar luftën kundër koronavirusit me grumbullimet që bëhen gjatë takimeve që zhvillon kryeopozitari Lulzim Basha. Kreu i qeverisë deklaroi se synohet vaksinimi masiv dhe i bëri thirrje opozitës e Bashës që të mos zhvillojë më ato që ai i quajti “shfaqje absurde”.

Kryeministri theksoi se të gjitha partitë mund të bëhen së bashku për të adresuar çështjen e grumbullimeve të njerëzve. Por kjo sipas tij do të bëhet tek Komiteti Teknik i Ekspertëve, pasi janë këta që e marrin vendimin.

“Kërkojnë një shans të ri që nuk kanë për ta marrë sepse shqiptarët nuk duan më të eksperimentojnë rikthimin e PD-së në pushtet, dhe çfarë PD-je, një PD-je që është sot e përfaqësuar nga skuadra më e keqe, më e dobët, më absurde e 30 vjetëve. Është për të ardhur keq, që ndërkohë sfida e sfidave e virusit po sabotohet, po çmohet, po pengohet në përpjekjen e përbashkët për ta fituar nga thjesht dhe vetëm interesi politik i një pale që ka përfaqësuar, përfaqëson dhe do të përfaqësojë pakicën. Duhet ta këpusim sa më shumë zinxhirin e infektimeve.

Synohet vaksinimi masiv, vaksinimi i mëtejshëm i atyre që janë në kontakt pune intensiv me qytetarët forcave tona të sigurisë. Është një proces që nuk do të ndalet dhe dëshiroj t’i bëj thirrje Bashës dhe opozitës që të frenohen nga dhënia e këtyre shfaqjeve absurde, që jo vetëm janë shumë dëmtuese, janë ç’edukuese, janë të pamoralshme. Në këtë fushë beteje jemi të gjithë një dhe populli është i gjithi i interesuar sepse virusi nuk njeh të majtë e të djathtë, por të godet njerëzit e dashur. Nga ana tjetër të mos ushqehen me iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta marrin ndonjë votë më shumë. Është komplet absurde dhe realisht dëm i madh. Paralelisht me vaksinimin rregullat duhet të respektohen.

Nuk kemi preferuar të shtrëngojmë ekonominë, mundësinë për punë të të gjithë njerëzve, por kjo nuk do të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, jetës së përditshme në situata që faktikisht bëjnë të kundërtën e vaksinës, bëjnë të kundërtën e përpjekjes së përbashkët. Besoj se duhet realisht të marrim një vendim shumë të qartë të gjithë bashkë, ne e kemi marrë si PS, por duhet ta marrim të gjithë bashkë dhe nëse është nevoja për të zgjeruar më shumë se sa një numër i kufizuar njerëzish që grumbullohen së bashku, këtë ta adresojmë së bashku dhe ta bëjmë duke iu adresuar autoriteteve. Ne na mjafton të mbajmë distancat dhe kaq, por nëse është e nevojshme mund t’i drejtohemi autoriteteve”, tha Rama.

Rama: Basha, i marrë peng me noterizim

Gjatë prezantimit të kandidatëve për Qarkun e Fierit, kryeministri Edi Rama nuk la pa ironizuar kundërshtarin e tij politike, Lulzim Basha dhe planin e tij ekonomik.

Kreu i qeverisë tha se oferta për taksë 9% ndikon negativisht tek familjet e thjeshta. Po ashtu, ai tha se kryetarit të PD-së i është noterizuar pengmarrja me marrëveshjen parazgjedhore që bëri me LSI-në.

“Nuk mundet të paguajnë njësoj për shtetin edhe më të pasurit edhe punëtorët e tyre, është e pamundur sepse nuk është njësoj në fakt. Nëse një punëtor paguan 9%, heq paratë që ka për të paguar nevojat mujore të familjes. Nëse një milioner paguan 9% ajo nuk ka asnjë ndikim në të përditshmen e familjes së tij. Mund të ndikojë në numrin e veturave, apo gjatësinë e jahtit apo në numrin e vilave, të metrave katrorë që disponon, por kjo nuk është diçka jetike dhe nuk jemi këtu për të shtuar numrin e vilave të tyre apo për të rritur numrin e veturave të tyre. Nëse duan t’i zgjasin, t’i rrisin, t’i shtojnë janë në të drejtën e tyre, por jo në kurriz të të tjerëve duke paguar detyrimet e shtetit më pak se të tjerët. Ajo që ofrohet nga PD-ja është një përmbysje e plotë e këtij parimi dhe shkuarje komplet në drejtim të kundërt me interesat e atyre që mblidhen me dy gishtat për të shpërndarë Covidin. Të gjithë ata që janë në ato tufat e organizuara gjoja spontane janë viktimat e para të kësaj politike nëse do të presupozonim që PD-ja do të merrte mandatin për të qeverisur, pa llogaritur këtu. Lulzim Basha nuk është një rrezik për demokracinë por fatkeqësisht mishëron rrezikun që përfaqësojnë ata që e kanë Bashën një manekin të buzëqeshur në duart e tyre, Saliun, Ilirin, Monikën. Lulzim Basha nënshkruan një kontratë absurde të pandodhur më parë mes dy forcave që hyjnë veç e veç dhe bëjnë që më përpara koalicionin paszgjedhor. Për çfarë arsyeje? Thjesht për të noterizuar aktin e pengmarrjes së tij. Është e qartë që rreziku dhe i destabilizimit të procesit zgjedhor për shkak të humbjes që afron gjithnjë e më shumë është prezent. Për këto arsye unë besoj që të gjithë ata që mbështesin verbërisht PD-në dhe që përfaqësojnë ato kategori që ne i mbrojmë me fakte dhe jo me fjalë, shumë më mirë dhe shumë më qëndrueshëm se PD-ja të bëjnë reflektimin e tyre”, tha Rama.

Ruçi apel KQZ-së: Partitë të kenë të njëjtin numër kandidatësh

Nga Fieri ku prezantuan kandidatët socialistë për deputetë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kishte një apel për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ruçi kërkoi nga ky institucion që të gjitha subjektet politike të kenë numër të barabartë kandidatësh në listat e tyre, siç e kërkon Kodi Zgjedhor.

“Siç dihet skuadra e qarkut të Fierit ka 18 kandidate dhe kandidatë për deputetë, duke respektuar kështu rigorozisht kërkesat e Kodit Zgjedhor. E theksoj këtë që në fillim sepse dua t’i bëj një apel KQZ-së dhe institucioneve të veta për të interpretuar siç duhet Kodin Zgjedhor dhe gjithë subjektet politike në garë, të jenë të barabartë me numrin e kandidatëve pasi siç kemi marrë vesh nga informacione që media pasqyron, vetëm në qarkun e Fierit subjekte të caktuara politike tejkalojnë këtë numër, duke mos respektuar kërkesat e Kodit dhe duke tentuar të regjistrojnë jo 18 sa kërkon Kodi, por 24 kandidatë”

Një ditë më parë, Partia Demokratike ridepozitoi listën e kandidatëve për deputetë, pasi KQZ ia kishte kthyer atë për shkak të disa parregullsive. Ndër to ishte fakti se numri i kërkuar i kandidatëve ishte tejkaluar dhe nuk ishte respektuar kuota gjinore. Megjithatë, edhe në listën e dytë, numri i kërkuar i kandidatëve tejkalohet sërish.

Rama: Dy arsyet që thyen në mes mandatin e dytë

Teksa prezantoi skuadrën e tij për zgjedhjet e 25 Prillit në Fier, kryeministri Edi Rama iu drejtua të tjerëve duke thënë se mandati që po mbyllet u thye në mes.

Arsyeja? Dy goditje sipas kreut të qeverisë, pandemia dhe tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Megjithatë për këtë të fundit, Rama tha se populli i dëmtuar po ringrihet akoma më i fortë.

“Dua të theksoj shumë qartë që ne po mbyllim një mandat të thyer në mes nga një ngjarje e madhe tronditëse që theu në mes të gjithë botën, pandemia. Një mandat të thyer në mes nga një ngjarje e madhe tronditëse që faktikisht u duk sikur në mes, tërmeti shkatërrimtar i 15 muajve më parë, pas të cilit ne po ringrihemi më të fortë sepse më të fortë po ringrihen të gjithë ata që u goditën drejtpërdrejtë, më të forta po ngrihen familjet që po kthehen në shtëpi më të forta, më të të fortë po ringrihen komunitetet si komuniteti i Thumanës, komuniteti i Fushë Krujës, ai i Bubqit dhe i të tjerëve që do të jetojnë në lagje rezidenciale që deri më sot i kanë ndërtuar dhe zotëruar vetëm të pasurit e këtij vendi. Falë vullnetit tonë ne dhe ata, por ata në radhë të parë po shohin se çfarë mund të bëjmë së bashku”.

Rama-opozitës: Në Elbasan provokuat dhe më pas bëtë viktimën

Provokatorë dhe më pas u sollën si viktima. Kështu u shpreh këtë të mërkurë Kryeministri Edi Rama për përplasjen që ndodhi në Elbasan në Ditën e Verës.

Kreu i qeverisë tha se incidenti ndodhi për shkak të mungesës së plotë të papërgjegjshmërisë. Sipas Ramës, prioritet në këto momente është lufta ndaj Covid, edhe pse si Parti Socialiste tha se do të bëjë ato që duhen për të arritur fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Hip mbi makina, mblidh njerëz me dy gishta, grumbullohu me flamuj deri dhe në një festë popullore si në Elbasan, vër ulërimën, krijo kot ndotje akustike në mes të qytetit madje dhe në mes të një feste dhe pastaj bëj edhe viktimën sikur u sulmove, ndërkohë që qëndron aty si provokator i njerëzve pa dallim dhe me montazhe skuthash krijon ide të gabuara mbi atë që në fakt ka ndodhur dhe që nuk kishte asnjë lidhje as me mua, as me ne që ishim aty, por ishte thjesht rezultati i ndjesës së plotë të përgjegjshmërisë. Provokime, acarime, tensionime krejt të panevojshme, krejt të padobishme, krejt të pavend në këtë kohë, kur ne të gjithë do i bëjmë të gjitha ato që mendojmë se duhet të bëjmë për të fituar këtë ndeshje, por mbi të gjitha nuk do harrojmë në asnjë moment se është një ndeshje tjetër shumë e madhe që zhvillohet sekondë për sekondë, është ndeshja për jetën, ndeshja për të fituar një luftë dhe për të dalë në një tunel ku të shohim dritë në fund dhe për t’i çliruar të gjithë pa dallim, nga ankthi i infektimit dhe ankthi i humbjes së njerëzve të dashur nga familjet e tyre”, tha Rama. /tvklan.al