Partia Demokratike insiston në bllokimin e pasurive të biznesmenit Edmond Bego, për të cilin thotë se ka lidhje politike me kreun e grupit të PS Taulant Balla, fakt i pranuar edhe nga ky i fundit.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se sot Policia e Shtetit njoftoi se ka sekuestruar pasuritë e një të vdekuri, kur në fakt së bashku me Prokurorinë duhet të bllokonin pasuritë e biznesmenit Bego, i dënuar më parë për trafik droge.

Sipas selisë blu, “kjo është tallje që bëhet me shqiptarët”, duke sekustruar pasuritë e një personi që nuk jeton më dhe nuk zbaton të njëjtin standard për një biznesmen me lidhje politike të dënuar në Itali për trafik droge.

Sot Policia e Shtetit njoftoi se ka bllokuar 1 milion Euro pasuri të Roland Shëmbitrasit, i cili është vrarë në Greqi Tetorin e vitit të kaluar. Këto para, që dyshohet se ishin përfituar nga trafiku i kokainës, ishin në llogaritë bankare të familjarëve të viktimës.

Deklarata e Partisë Demokratike:

Kur të gjithë presin që Policia dhe Prokuroria të zbatojnë “Forcën e Ligjit” për sekuestrimin e pasurive të Edmond Begos, trafikantit të drogës të shndërruar në biznesmen me lidhje politike, policia tallet me pritshmëritë e shqiptarëve, duke njoftuar se “Forca e Ligjit” ka rënë mbi pasuritë e një të vdekuri.

Policia njofton si sukses sekuestrimin e 1 milionë eurove të një shtetasi shqiptar qe nuk jeton më dhe që dyshohet për pjesëmarrje në trafikun e drogës ne Greqi, por Policia hesht dhe “Forca e Ligjit” nuk vepron për mikun e familjes së Taulant Ballës, i dënuar me 21 vjet burg në Itali për trafik droge.

Duke kërkuar që “Forca e ligjit të mos bjerë vetëm mbi pasuritë e atyre që nuk jetojnë më, por edhe mbi pasuritë e krimit të lidhur me pushtetin, Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të sqarojë opinionin publik

• Kur do të zbatohet i njëjti standard i “Forcës së Ligjit” ndaj vëllait te Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, aktualisht në burg për trafik droge?

• Kur do të zbatohet i njëjti standard i “Forcës së Ligjit” ndaj mikut të familjes së Taulant Ballës, trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për trafik droge Edmond Bego?

• Pse trafikantët e lidhur me pushtetin, si Agron Xhafaj dhe Edmond Bego kanë imunitet dhe “Forca e Ligjit” është e pafuqishme ndaj tyre?

Heshtja e Policisë së Shtetit, e Fatmir Xhafës dhe Taulant Balles provon se me Edi Ramën kryeministër krimi ka imunitet dhe mbrohet nga qeveria.

/tvklan.al