Basha: Do t’i japim nga buxheti, do t’ia marrim pronarit që iu ka borxh

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka premtuar naftëtarëve të uzinës së Ballshit, të cilët ndodhen në ditën e 9-të grevës së urisë, se menjëherë pas ardhjes në pushtet të demokratëve, buxheti do t’u paguaj shumën prej 8 milion eurosh të 16 pagave që kanë pa marrë prej 5 vjetësh.

Lideri i opozitës tha se shuma do të jepet fillimisht nga paratë e taksapaguesve, por qeveria do të vazhdojë betejën ligjore për t’ia marrë kompanisë që ua ka detyrim, e nëse firma ka falimentuar- pronarëve të saj.

8 milion të njihet si borxh nga shteti ndaj jush, por shteti nuk ka për t’i mbajtur vetë mbi kurriz, por do ia nxjerr nga hundët nëse është nevoja atyre që u kanë lënë në këtë gjendje”, tha Basha.

Lulzim Basha nuk premtoi zgjidhje për kthimin në punë të rafinerisë së Ballshit, por tha se gjendja financiare e uzinës do të analizohet nga ekspertët e partisë demokratike me synimin për të gjetur një investitor serioz.

E kuptoj që synimi kryesor është futja e uzinës në funksion të plotë, por kjo nuk është fjalë gojë dhe unë nuk kam ardhur këtu t’u premtoj gjëra kot. Do kemi marrëdhënie transparente me shfrytëzuesit e naftës dhe me Bankers dhe të tjerët”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë aferën që ka ndodhur në rafinerinë e përpunimit të naftës.

Tv Klan