“Ulim çmimin për 70% të familjeve”

Rimëkembjen e ekonomisë demokratët e shohin ngushtësisht të lidhur me uljen e taksave dhe çmimeve dhe një ndër to është edhe fatura e energjisë për 70% të familjeve shqiptare. Plani i punës i hartuar nga ekspertët e opozitës u prezantua nga kryedemokrati Basha, i cili u angazhua gjithashtu për liberalizimin e tregut, duke u dhënë mundësi konsumatorëve të zgjedhin vetë operatorin nga ku do ta blenë energjinë.

“Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj. angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë”.

Jo vetëm konsumatori familjar por edhe biznesi i cili në mungesë të energjisë ka parë si alternativë zgjidhjeje përdorimin e gjeneratorit nuk bën përjashtim nga fatura e ulët e energjisë elektrike.

“Biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mire. Ne do te zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët.”

Ulja e humbjeve në rrjet dhe mirëadministrimi i OSSHE-së thotë se është  prioritet i planit për energjinë.

“Investimet në rrjetin e shpërndarjes do të shkojnë atje ku duhet, dhe jo ne xhepat e administratoreve të korruptuar.”

Jashtë vëmendjes nuk qëndron edhe energjia e erës.

“Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik”.

Premton se do të zhdukë monopolet në tregun e hidrokarbureve, do të ulë çmimin e karburanteve, pa përjashtuar kontrollin e rreptë për cilësinë e tyre.

“Do të arrijë standardin evropian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë.”

Angazhohet të lidhë gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës.

“Do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën”.

Në sektorin minerar shprehet ambicioz për të rritur me 150% investimet e huaja direkte, por jashtë vëmendjes nuk lë edhe minatorët.

“Përfitimet sipas një statusi dinjitoz për punë të vështirë si dhe për t’u lehtësuar sadopak pleqërinë me pensione po ashtu dinjitoze”.

Basha u angazhua t’i japë zgjidhje problematikës së përmbytjeve dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve nga tërmeti.

Tv Klan