Partia Demokratike prezantoi këtë të hënë masat antimafia për çlirimin e ekonomisë nga korrupsioni dhe oligarkia. Alternativa e PD ka për qellim sekuestrimin e pasurive publike të fituara me kontrata në kundërshtim me ligjin.

“Ne i kemi denoncuar këto afera një për një. Kjo që do të bëjmë sot është më shumë se denoncim, ne do të prezantojmë sot para jush platformën antimafia për çlirimin e ekonomisë, e cila shkurt dhe thjeshtë konsideron dhe propozon mekanizmin ligjor dhe institucional për evidentimin, verifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të personave privatë dhe zyrtarëve publikë përfshirë në afera korruptive, qofshin këto PPP, tendera, koncesione, leje apo licenca”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Njësoj si me krimin e organizuar dhe asetet e krimit të organizuar, të gjithë ata që përfitojnë në mënyrë korruptive paratë e taksapaguesve shqiptarë do të jenë subjekt i të njëjtit mekanizëm, i cili konsiston në dy pjesë, së pari barra e provës do të jetë me subjektet e ligjit dhe jo me shtetin. Do tu takojë atyre që janë bërë palë në këto afera korruptive që të provojnë pafajësinë e tyre dhe ligjshmërinë e aseteve të tyre, dhe së dyti duke bërë të mundur që pavarësisht procesit penal juridik, pasuritë e vëna në këtë mënyrë t’i nënshtrohet procesit të verifikim-sekuestrim-konfiskimit.

Basha tha se këto janë masat drastike për një kohë sfidash dramatike për vendin.

Pa ndalur këtë të keqe dhe pa ju rikthyer shqiptarëve paratë dhe asetet që po vidhen përditë, nga një qeveri e bërë njësh me krimin, as sipërmarrja nuk do të shohë asnjë ditë të bardhë, as qytetarët shqiptarë nuk do të mund të dalin nga spiralja e të keqes që i ka mbërthyer.

/tvklan.al