Infrastruktura është një ndër shtyllat e programit qeverisës të Sali Berishës, i cili foli për projekte konkrete në këtë sektor pas uljes në karrigen e kryeministrit. Hapi i parë është përfundimi i punëve të lëna në mes nga kundërshtari i tij politik.

“Ne do përfundojmë Milot -Lezhë-Shkodër, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me 3 korsi dhe korsi urgjence në dy anët”, shprehet Berisha.

Foli për koncensione korruptive dhe miliona Euro të taksapaguesve shqiptarë që kanë përfunduar në xhepat e klientëve të qeverisë.

“Do të ketë një odit të thellë dhe ata të cilët kanë vjedhur dhe shpërdoruar 12 miliardë Euro ato do të përgjigjen gjer në një”, thekson Berisha.

Premtoi kthimin e Shqipërisë në një epiqendër të transporti detar teksa paralajmëroi anulimin e projektit Dubai City.

“Natyrisht ne i jemi kundërvu dhe i kundërvihemi Dubai City-t të Edi Ramës dhe arabit të tij, Al Alabar. Ai është një monument korrupsioni i përmasave të jashtëzakonshme”, shprehet Berisha.

Një ndër premtimet ishte dhe ripërtëritja e rrjetit hekurudhor, si dhe lidhja me Kosovën.

“Kanë 3 vjet që punojnë për hekurudhën Tiranë-Durrës, e kanë inaguruar po hekurudha mbetet aty ku është. Jo, ne do e ripërtërijmë rrjetin dhe do e lidhim me linjë me Kosovën”, tha Berisha.

Sistemi i kanalizimeve dhe furnizimi me ujë me çmim simbolik është një tjetër premtim që kryedemokrati tha se do e kthejë në realitet pas ardhjes në pushtet.

Tv Klan