Në prezantimin e programit qeverisës për mbrojtjen e familjes dhe kundër shpopullimit u deklarua krijimi i ministrisë së familjes.
Berisha tha se gjatë 10 viteve e kanë braktisur Shqipërinë vetëm në hapësirën e Bashkimit Europiane 1 milionë e 99 mijë shqiptarë.
Ai premtoi mbështetje financiare për lindshmërinë.
“Do të asistohet nga qeveria për fëmijën e parë, pagesë të përmuajshme për fëmijën e dytë dhe fëmija i tretë nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare do të merret përsipër tërësisht nga shteti”, tha Sali Berisha.
Premtoi lehtësira fiskale për ata që dëshirojnë të rikthehen në atdhe nga emigracioni.
“Do të bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Shqipëri. Një periudhë prej 5 vitesh do të jetë pa taksa, duhen kredi të favorshme, duhen grante për start-upet e tyre”, tha Berisha.
Adresoi akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Një njeri i cili i thotë qytetit se ka mbjellur 1 milionë pemë, dhe ka mbjellur gjithsej apo si ka mbjellur 10 mijë të tilla. Por, ka marrë paratë e fidaneve. I thotë qytetit, unë do të pastroj dhe do të bëj model sepse do i djeg plehrat në djegsin dhe shpenzohen 130 milionë dhe djegsi nuk ekziston. Ka përdorur një model vjedhje që asnjë nga ne që jemi këtu si kishim dëgjuar kurrë më parë. Formati 5D që fitonin drejtorat, tenderat e bashkisë”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha e konsideroi sërish SPAK-un si prokurori politike.
“Partia Demokratike ia doli. SKAP-in që Rama e mban si dekoratë, e ka damkosur me tre rezoluta ndërkombëtare si prokurori të mirëfilltë politike”, tha Berisha.
Me minimumin jetik 200 Euro, rrogën minimale 500 Euro me kartën e konsumatorit, në 3 muaj e parë të qeverisjes PD synon që ti japë fund varfërisë ekstreme.
Klan News