Basha: Fond për gjetjen e trupave të njerëzve të pushkatuar

Kryedemokrati Lulzim Basha ka prezantuar programin me 8 pika për ish-të përndjekurit politikë në 30-vjetorin e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Basha tha se brenda mandatit të parë PD do të mbyllë pagesat për familjet e persekutuara dhe do të ngrihet një muze kujtese.

“Ne zotohemi që brenda mandatit të parë të përfundojmë pagesat për familjet e persekutuara nga regjimi komunist. Atyre iu është bërë një dëm i pakthyeshëm në jetët e tyre dhe sa më shumë që e vonojmë këtë shpagim të vogël, aq më shumë rëndon mbi ne, dëmi që i është shkaktuar.”

Selia blu, tha kryedemokrati ka vullnetin për të zbatuar nëpërmjet një procesi transparent me të gjithë faktorët, zotimet e marra për ish të përndjekurit politikë, ndërsa do të shqyrtohet mundësia që për këtë kategori pensioni të jetë mbi 100 euro.

Ne do të subvencionojmë shërbimet shëndetësore dhe rrisim pensionet e të përndjekurve nga komunizmi, si dhe po shqyrtojmë mundësinë që të burgosurve politikë t’ju jepen 100 Euro shtesë mbi pensionet e tyre.”

Basha premton krijimin e një fondi që do të shërbejë për gjetjen e trupave të të pushkatuarve nga komunizmi si dhe do të ofrojë bursa studimi dhe kredi të buta për çiftet që janë pasardhës të ish të përndjekurve politik.

“Angazhohemi që në ditët e para në qeveri, të krijojmë instrumentin dhe fondin për gjetjen e trupave të njerëzve të pushkatuar që regjimi ogurzi komunist i la pa varre dhe ta financojmë atë deri në përfundimin me sukses të plotë procesin dhe përmbylljen e tij brenda një kohe sa më të shkurtër. Qeveria e ardhshme do të ofrojë bursa studimi dhe kredi të buta për banesa, çifteve të reja nga pasardhësit e të përndjekurve politikë.

Ndër të tjera, kreu i PD-së tha se asnjë xhelat i djeshëm s’mund të jetë një shenjtor i sotëm dhe se ligji i lustracionit do të shërbejë si ndarje njëherë e mirë nga diktatura dhe një falje për 30 vitet e munguara për familjet e persekutuara nga regjimi komunist.

Klan News