PD: Prokuroria faktoi se Agim Kajmaku është Jorgo Toto

PD: Prokuroria faktoi se Agim Kajmaku është Jorgo Toto

16:32 28/10/2019

“Subjekt i Dekriminalizimit, Kryebashkiaku duhet të shkarkohet”

Kjo shkresë zyrtare e Prokurorisë e mbërritur në selinë blu, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, konfirmon akuzat se Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, është Jorgo Toto, person i arrestuar në Greqi për falsifikim parash dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar deri në Shtator të 2019-ë nga autoritetet fqinje. Demokratët e akuzuan Kryebashkiakun e Vorës se ishte në dijeni të këtij fakti dhe në muajin Gusht iu drejtuan Prokurorisë me një shkresë zyrtare, ku i kërkonin të niste verifikimin për Kajmakun.

“Në vendimin e Prokurorisë, i mbërritur pak në më parë në PD, rezulton se zyra qendrore kombëtare e Interpol Tirana, më 24.09.2019. ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga Interpol Athinë rezulton se nga gjurmët e gishtërinj te shtetasit Agim Kajmaku me gjurmët që gjenden në Greqi ka përputhshmëri të plotë. Prokuroria ka sqaruar, nga verifikimet e kryera, është provuar se Kajmaku dhe Tota është i njëjti person. Ky fakt konfirmohet nga të dhënat e TIM-s”.

Referuar faksimiles së Prokurorisë, Bardhi tha se nga verifikimet e kryera, organi i akuzës konfirmon se Kryebashkiaku Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim.

“Kjo, sepse ai është arrestuar, – shprehet prokuroria, në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij. Nga ana tjetër, shprehet prokuroria, rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti përpara autoriteteve shqiptare, jo vetëm duke ndryshuar emrin dhe mbiemrin, por dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”.

Partia Demokratike thotë se Prokuroria ka konfirmuar që Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është subjekt i ligjit të Dekriminalizmit e për pasojë duhet të skualifikohet menjëherë nga funksioni publik.

Por Kryebashkiaku i Vorës përmes një kërkese drejtuar Prokurorisë dhe KQZ-së shkruan se nuk ka qenë në dijeni të faktit se ndaj tij kishte nisur një hetim nga autoritete greke, pasi është zhvilluar në mungesë, arsye kjo që sipas tij nuk e ka shënuar në formularin e Dekriminalizimit.

Gjithashtu Kajmaku shpjegon se nuk ishte në dijeni të faktit se mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit ia ndalonte atij që të kandidonte dhe më pas të zgjidhej si kryebashkiak.

Në letrën drejtuar organit të akuzës ku i vë në dispozicion një dokument të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda të Janinës në Greqisë, Kajmaku thotë se autoritet e drejtësisë në shtetin fqinj e kanë shpallur atë të pafajshëm me emrin Jorgo Toto.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi