Partia Demokratike akuzon drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës se po ushtron presion tek prokurorët e çështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e Lulzim Bashës.

“Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të çështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për t’u paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij”.

Në një deklaratë për mediat, selia blu thotë se “Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD”.

Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe Kryeministrin Edi Rama “se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës”.

“Kamikazaja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij”, thuhet në reagimin e PD.

Mëngjesin e kësaj të hëne, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha refuzoi thirrjen e Prokurorisë së Tiranës për t’u paraqitur, që të njihej me akuzat për pastrim parash dhe falsifikim në lidhje me disa pagesa të bëra për një kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara. Me anë të një letre drejtuar organit të akuzës, Basha tha se thirrja e prokurorisë nuk përmbushte kriteret ligjore të Kodit të Procedurës Penale./tvklan.al