PD propozon amendament për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore



PD propozon amendament për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore

11:41 25/11/2021

Partia Demokratike ka çuar një amendament për ligjin e TVSH. Ishte deputetja demokrate Jorida Tabaku ajo që e propozoi nga foltorja e Kuvendit. Tabaku tha se opozita kërkon uljen e TVSH nga 20 % në 6 %, ndërsa shtoi se do të përfitonin 659 mijë individë.

“Unë sot këtu jam për të prezantuar, në emër të Partisë Demokratike, një amendament për TVSH-në. 120 amendamente ka prezantuar Partia Demokratike në 9 vite. Në fakt, kisha hequr dorë të prezantoja amendamente sepse këtu ku ka arritur situata me paketën fiskale, me mungesën e vizionit, me rritjen e taksave, me dëmtimin e shtresës së mesme, me dëmtimin përmes taksave të shtresës së mesme, unë nuk besoj se situata mund të korrigjohet.  Por, duke patur parasysh situatën e vështirë ekonomike, rritjen e paprecedentë të çmimeve, sidomos të shportës ushqimore, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, gjykoj, që duhet patjetër të prezantojmë një amendament për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6%, si një mjet për të nxitur konsumin. 

Një pjesë e produkteve ushqimore në tregjet me pakicë kanë pasur një rritje prej pothuajse 30% të çmimeve. Grupi parlamentar i PD ka kërkuar, dy muaj më parë interpelancë për rritjen e çmimit të miellit dhe të bukës. Ka dy muaj që drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës është me covid dhe nuk vjen të raportojë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ndërkohë, që ka një situatë, një tendencë për rritje çmimesh edhe në produkte të tjera, jo të shportës.  

Por ne e gjykojmë që marrja e kësaj mase, në përputhje edhe me marrjen e masës edhe në vende të tjera, për diferencimin e TVSH-së do të kishte një përfitim të drejtpërdrejtë tek të paktën 659 mijë individë që sot jetojnë nën nivelin dhe në kufirin e varfërisë.   Unë e di që është bërë luks të flasësh për varfërinë sot: 

Kur paketa fiskale ka një përjashtim, një ulje të TVSH-së për hoteleri turizëm; 

Kur paketa fiskale që ka kaluar pak muaj më parë ka përjashtuar rentën minerare; 

Kur paketa fiskale ka një ulje të taksave për karburantin e mjeteve lundruese; 

Kur paketa fiskale ka kaq shumë favore për ata që ministri refuzon t’i konsiderojë oligarkë, kur në fakt janë oligarkët që vetë po i favorizojnë me këtë paketë fiskale; 

Kur deri dje nuk kishim TVSH për jahtet; 

Kur një sërë taksash janë të bëra me porosi, një sërë ligjesh janë të bëra me porosi, çfarë i kushton këtij parlamenti të marrë një masë për diferencimin e TVSH-së? 

E di që sot do të dëgjojmë diskutime pa fund se si kjo do të prishë skemën e TVSH-së. Në fakt, skemën e TVSH-së nuk e prish rritja e konsumit. Kjo nuk duhet parë si një masë që shkakton rënie të ardhurash në buxhetin e shtetit. Nuk ka përse të kënaqet qeveria që merr më shumë të ardhura sepse janë rritur çmimet më shumë. Nuk se si të kënaqet qeveria, kur sot një pjesë e madhe e familjeve paguajnë 40% të buxhetit të tyre familjar për mbijetesë”./tvklan.al








Të ngjashme