Në një prononcim për mediat, nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka tha se Këshilli Kombëtar vendosi këtë të shtunë që strukturat drejtuese do të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin, me qëllim rrëzimin e qeverisë.

“Pati një vendimmarrje mjaft të rëndësishme politike. Pas bisedimeve që pati opozita menjëherë pas asaj që ndodhi në parlament, sot Këshillit Kombëtar iu kërkua të vendosë për qëndrimin politik që do të mbajë PD dhe Këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD që të merren me organizmin e protestave në mbarë vendin me një qëllim të vetëm: rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës”.

Paloka tha se Këshilli vendosi gjithashtu për ngritjen e një qeverie tranzitore që do të ketë si qëllim organizimin e zgjedhjeve.

“Gjithashtu Këshilli mori vendim politik, që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë Rama, një qeveri tranzitore, kalimtare, që të merret me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo do të jetë rruga që do të ndjekë Partia Demokratike”,

tha Paloka, i cili u shpreh i bindur se kësaj rruge do t’i bashkohet e gjithë opozita shqiptare.

/tvklan.al