Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Arrestohet Hysni Kuka, i thirrur si dëshmitar në gjyqin për ngjarjet e 14 Shtatorit. Me urdhër të prokurorit Nasip Naço, Kuka është prangosur menjëherë pasi ka dalë nga salla e gjyqit, ku kanë dëshmuar dhe personazhe të tjerë të njohur. Sipas prokurorit Naço, akuza disponon prova që Kuka ka qenë pjesëmarrës në ngjarjet e 14 Shtatorit, përpara kryeministrisë.

PD ka protestuar sot gjatë një konference për shtyp, sipas saj për represionin policor që po ushtrohet ndaj militantëve demokratë. Ne po zhvillojmë një fushatë tolerante, tha zëdhënësi i selisë blu Edi Paloka dhe PS nuk i intereson një gjë e tillë. Paloka ka protestuar në veçanti për arrestimin e shefit të fushatës së tij elektorale Hysni Kuka, në zonën 36, ku ai kandidon për deputet nga Bashkimi për Fitore.

Arrestimi i Kukës është politik, tha Paloka, pasi ai nuk ishte thirrur ndonjëherë dhe nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjet e 14 Shtatorit. Unë paralajmëroj kundërshtarin tim socialist Luan Hajdaraga dhe shefin e komisariatit Sokol Çela, deklaroi Paloka, se nuk do të kenë thasë orizi apo vrima ku të futen pas zgjedhjeve të 24 Qershorit./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego