Projektligjin e socialistëve për amendimet në Kodin Elektoral të depozituar këtë të martë në Kuvend, opozita e cilëson minim të Reformës Zgjedhore. Bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi thotë se e vetmja rrugë për të arritur në një draft konsensual kalon nga komisioni ad-hoc dhe jo me nisma të njëanshme.

“Ajo që kërkon Partia Socialiste në mënyrë të njëanshme minon Reformën Zgjedhore. Nëse vazhdon në këtë formë, Reforma Zgjedhore mbytet aty ku është. Konsensusi gjendet vetëm në komision. Me atë veprim të përsëritur tregojnë qëllimin që kanë, që duan të provokojnë përplasjen, në mënyrë që të mos ketë konsensus”

, shprehet Bylykbashi.

Po sa është e mundur shkuarja në zgjedhje me një kod të ri konsensual, në një kohë kur fundi i Dhjetorit përkon edhe me mbarimin e mandatit për herë të dytë të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore?

“Komisioni i Reformës Zgjedhore, askush nuk thotë që duhet të mbyllë dyert e tij në datë 31 Dhjetor. Parlamenti eventualisht mund ta zgjasë mandatin e komisionit sepse kemi çështje të pambyllura. Kemi diskutim për referendumet dhe për sistemin zgjedhor. Ka çështje të tjera të mëdha, të cilat nuk zgjidhen dot deri më 31 Dhjetor”,

shpjegon bashkëkryetari demokrat.

Drafti i socialistëve përfshin edhe një ndër kushtet e vendosura nga opozita; atë për përdorimin e elektronikës në zgjedhje, por Bylykbashi shprehet skeptik për finalizimin e një projekti pilot në kohë. Dhe sërish fajtore bën mazhorancën.

“Kishim rënë dakord që të ngrihej një grup pune ekspertësh, me urdhër të Kryeministrit, për të përcaktuar termat e referencës. Ky grup është ngritur me këtë urdhër, ku ka dhe ekspertë nga opozita, por ky grup nuk është mbledhur veçse dy herë për të bërë mbledhjet e para të prezantimit. Edhe ky është tregues që qeveria nuk e do as projektin pilot, që ishte një kusht shumë i rëndësishëm i opozitës sepse projekti pilot do të hapë rrugën nesër që të bllokojë blerjen e votës, ta reduktojë, të heqë abuzimin me kartat fallco dhe të tjera me radhë”,

thotë Bylykbashi.

Sipas bashkëkryetarit demokrat, Kodi i ri Zgjedhor do të duhet të adresojë shqetësime reale, përpara se të përfshijë votën e emigrantëve; si skadimi i 1.4 milionë kartave të identitetit, problemet me listat zgjedhore, apo dhe çështje që kanë të bëjnë me abuzimin e burimeve shtetërore. Për miratimin e Kodit Zgjedhor nevojitet një shumicë prej 84 votash. Në kushtet e mungesës së kartonëve jeshil në parlament, mazhoranca e ka të pamundur ta miratojë atë e vetme.

Tv Klan