PD kërkon dorëheqjen e Ardi Veliut



PD kërkon dorëheqjen e Ardi Veliut

18:39 30/05/2020

Vokshi: Rama, peng i urdhrave të paligjshëm

Për Partinë Demokratike, “pak gjëra kanë sjellë një zemërim aq të madh të qytetarëve sesa qëndrimi i djeshëm kriminal i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu”. Në një deklaratë për mediat, Albana Vokshi u shpreh këtë të shtunë se pavarësisht kësaj kërkese unanime për largimin e Veliut nga detyra, njerëzit që kanë në dorë shkarkimin e tij, po heshtin. Sipas Vokshit, duke mos shkarkuar Veliun, Kryeministri provon se vetë ai do të bënte të njëjtën gjë si ai.

“Edi Rama bën sikur nuk ka parë gjë, Sandër Lleshaj bën sikur nuk ka kuptuar gjë, duke shpresuar se me kalimin e kohës do ta shpëtojnë mercenarin e tyre dhe të bandave kriminale. Heshtja mafioze e kryeministrit dhe e Ministrit të Brendshëm për qëndrimin skandaloz të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është prova më domethënëse se veprimi i Ardi Veliut është linjë partiake dhe qeveritare. Duke mos e shkarkuar atë, Edi Rama provon se do të bënte të njëjtën gjë si Ardi Veliu, do të sulmonte si mafioz një grua për të justifikuar dhunën policore ndaj djalit të saj të mitur”.

Vokshi tha më tej se Rama është peng i urdhrave të paligjshëm që ka zbatuar herë pas here për llogari të tij Ardi Veliu dhe kjo shpjegon sipas saj edhe heshtjen.

“Kjo shpjegon heshtjen e Edi Ramës dhe të Sandër Lleshajt, në një kohë kur e gjithë Shqipëria është e revoltuar dhe kur të gjithë duan që Ardi Veliu të mos përfaqësojë më Policinë e Shtetit. Një kryeministër normal, i papërzierë në punë të pista, do ta kishte shkarkuar menjëherë një drejtor policie që justifikon me prova të sajuara rrahjen e një të mituri për shkak të prejardhjes familjare, sulmon si kriminel gjakftohtë një nënë kryefamiljare dhe që shkel të drejtat e njeriut”./tvklan.al




Të ngjashme