Pas publikimeve të dokumenteve nga ana e PD-së, sipas së cilës, kryetari i Bashkisë së Mallakastrës është dënuar me 3 vjet burg nga gjykata e Athinës në vitin 2003, erdhi edhe reagimi i Qerim Ismailaj.

Me anë të një deklarate në Facebook, Qerimaj thotë se nuk është arrestuar, ndaluar apo deportuar ndonjëherë nga policia greke për aq kohë sa ka jetuar dhe punuar në Greqi si emigrant ekonomik. Ai shprehet se nuk ka pasur dijeni për dokumentet e publikuara këtë të premte.

“Lidhur me shkresat e paraqitura sot nuk kam pasur dijeni sepse po të kisha, fare thjesht do t’i deklaroja në formularin e dekriminalizimit, pasi vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jem i dënuar nuk është në kushtet që të më pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës dhe për këtë qëllim do të ndjek çdo rrugë ligjore për zbardhjen e së vërtetës si këtu ashtu dhe në Greqi”, thotë Ismailaj.

Ismailaj shton më tej se ka udhëtuar me dhjetëra herë në Greqi dhe asnjëherë nuk i është refuzuar hyrja, e aq më tepër të jetë ndaluar.

“Në periudhën kur ka dalë ky i ashtuquajtur vendim kam punuar mësues në shkollën “I.Shehu” Çorrush si dhe në 12 tetor 2000 jam zgjedhur kryetar i komunës Kute”, u shpreh Ismailaj.

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës e mbyll deklaratën e tij duke thënë se, “Përbuz me neveri çdo etiketim të bërë nga ana e PD ndaj meje, pasi nuk kam kryer asnjë veprimtari të jashtëligjshme (por mund të më kenë ngatërruar me personazhet kriminelë, hajdutë apo trafikantë që mund t’i ketë pasur apo mund t’i ketë akoma në gjirin e saj)!Së fundmi jam i bindur se e vërteta dhe ndershmëria do të triumfojë mbi gënjeshtrën, hajdutërinë, trafikantët apo mashtruesit”. /tvklan.al