PD publikoi fotot me drogë, reagon Policia e Shtetit: Janë parcelat e vitit 2016


PD publikoi fotot me drogë, reagon Policia e Shtetit: Janë parcelat e vitit 2016

17:40 18/07/2020

Policia e Shtetit ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike që publikoi disa foto të parcelave me kanabis, duke akuzuar se policia nuk po e lufton këtë fenomen.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thotë se fotot e publikuara nga PD i përkasin një parcele në vitin 2016 në qarkun e Kukësit.

Kurse për fotografinë tjetër të denoncuar nga selia blu që pretendon se është në qarkun e Vlorës, policia sqaron se i përket rastit të Zall Dardhës në Dibër ku disa ditë më parë u procedua kryetari i njësisë administrative dhe kryeplaku, si dhe u shpallën në kërkim 3 persona.

Policia e Shtetit i bën thirrje PD që të mos demotivojë efektivët e policisë në luftën e përditshme për goditjen e kultivimit të kanabis sativës.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për deklaratën e PD-së lidhur me situatën e parandalimit e luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Çdo rast i tentativës për kultivim që është konstatuar është goditur dhe personat përgjegjës janë dërguar para drejtësisë.

Rasti më i fundit ishte në Zall Dardhë të Dibrës, ku u procedua penalisht kryetari i Njësisë Administrative, kryeplaku i fshatit dhe u shpallën në kërkim 3 autorë të dyshuar. Foton e këtij rasti PD e serviri për publikun si rast në qarkun e Vlorës, ndërsa një foto tjetër si rast në Kukës, e cila në fakt daton disa vite më parë (viti 2016).

Lufta kundër parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të kanabist po ashpërsohet përditë e më shumë nga strukturat e Policisë së Shtetit, luftë kjo e nisur që prej fillimit të vitit me masat parandaluese, sensibilizuese dhe vijon me masat goditëse, jo vetëm ndaj atyre që tentojnë të kultivojnë apo të trafikojnë kanabisin, por edhe ndaj zyrtarëve, të cilët ligji i ngarkon me përgjegjësi.

Çdo ditë, mbi 125 grupe kontrolli, 30 dronë dhe helikopteri i Policisë po ushtrojnë kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin. Falë bashkëpunimit me partnerët vijon monitorimi nga ajri me avion special nga Guardia di Finanza.

Dhjetëra zyrtarë lokalë e të administratës, që ligji i ngarkon me përgjegjësi për të bashkëpunuar me Policinë për parandalimin e kultivimit të kanabisit, janë proceduar dhe arrestuar, sikundër jo të pakta janë rastet kur punonjës policie i janë nënshtruar hetimit disiplinor apo procedimit penal.

Janë dhjetëra persona të arrestuar e proceduar si autorë e përkrahës të krimit në tentativën për të kultivuar apo trafikuar kanabis dhe të gjitha këto tregojnë se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për ta luftuar deri në fund këtë veprimtari kriminale.

Është demotivuese për forcat e Policisë e në dëm të interesave të vendit, sulmi që po bën PD ndaj punës së Policisë së Shtetit.

Ky angazhim është vlerësuar dhe përkrahur nga partnerët, të vendosur përditë krah tyre në operacione të përbashkëta.

Policia e Shtetit do të vijojë luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në përgjithësi dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 apo Komisariatin Dixhital, duke garantuar anonimat, reagim të shpejtë, profesional e të paanshëm. /tvklan.al




Të ngjashme