Më kërcënoi Kryeministri, “turp të kesh”

Një tjetër denoncim ka ardhur nga Partia Demokratike, e cila përmes ish-deputetes Grida Duma ka sjellë dëshminë e Manjola Cakonit nga Thumana, gruas që humbi nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit bashkëshortin dhe të bijën 15-vjeçe. Manjola rrëfen se teksa kthehej nga spitali, ka marrë një telefonatë kërcënuese nga Kryeministri Rama, pasi është shprehur në një intervistë televizive se është braktisur nga qeveria.

“Rrugës kur po vija nga spitali, më merr në telefon dikush nga kryeministria. Përgjigjet mami im, se unë isha e sëmurë dhe i thotë:” Turp të ketë Manjola!” “Turp të ketë Manjola!” Unë nuk besoj se kam bërë ndonjë turp. Kam kërkuar të drejtën time dhe për fëmijën tim. Asnjë gjë tjetër s’dua. Vetëm dua të drejtën time, për vete dhe për fëmijën tim dhe kaq. Ai i kishte thënë: “Edi jam. Edi Rama jam. ”Turp të ketë Manjola për atë që ka bërë sot. ”Unë isha e sëmurë isha me serum, isha shumë keq. Se po të isha në rregull do t’i thoja: Unë nuk kam bërë ndonjë turp, turp ke bërë ti, që më le mua më çove deri në këtë pikë. Sa të arrijë edhe të shkoj në spital. Ndoshta do që të vdes dhe unë dhe të bëhemi tre viktima tamam edhe t’i japësh lekë djalit tim. Kaq kisha”.

Ish-deputetja Grida Duma tha se rasti i familjes Cakoni është simbol i show-t të zi të Kryeministrit me viktimat e tërmetit.

“E vërteta e tyre i shembi dhe i shkërmoqi plotësisht propagandën duke i treguar shqiptarëve të vërtetën mes ekranit dhe realitetit. shkaktoi një dëm për Edi Ramën, demontoi totalisht serinë e tërë të telenovelës me regji dhe tutorial të tij dhe aktor kryesor Edi Ramën.”

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i demokratëve Basha, që thotë se “është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua”. 

Tv Klan