“Qeveria do të zhdukë provat”

Sipas Partisë Demokratike, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gënjeu të shtunën kur tha se nuk janë djegur dokumente në institucionin që ajo drejton.

Ish-deputeti Bardh Spahia përmes një konference për mediat deklaroi se, Manastirliu e dinte shumë mirë që informacioni që u publikua nga Basha ishte i vërtetë, por zgjodhi të mashtrojë qytetarët.

Për këtë, Spahia solli një email, që sipas selisë blu vërteton që ka rënë zjarr në katin e katërt të godinës, aty ku ndodhet edhe Zyra e Prokurimeve. Ngjarja në fjalë, sipas Partisë Demokratike ka ndodhur në datën 15 Prill.

“Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës. Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumenteve në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu. Në email thuhet shprehimisht: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit””, tha Spahia.

Sipas Spahisë, qeveria po falsifikon dhe po asgjeson dokumentet shtetërorë për të zhdukur provat, e asaj që ka denoncuar PD në lidhje me tenderat sekretë.

“Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve”.

PD kërkoi nga SPAK nisjen e hetimit.

“Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit”./tvklan.al