“Prokuroria s’ka nevojë të marrë shenjat e gishtërinjve”

Agim Kajmaku hodhi poshtë akuzat e demokratëve se ishte arrestuar në 2003-n në Greqi, për kryerjen e transfertave me para të falsifikuara. Tha se nuk ishte implikuar në trafiqe, por selia blu publikoi të tjera dokumente, që sipas saj, provon në mënyrë të pakontestueshme që Jorgo Toto, i arrestuar në vendin fqinj, është Kryebashkiaku aktual i Vorës.

Një prej dokumenteve është numri i pasaportës që Jorgo Totos i është gjetur me vete në momentin e arrestimit, i cili figuron në procesverbalin e mbajtur në Policinë e Janinës.

Një tjetër dokument, që sipas Partisë Demokratike provon se Kryebashkiaku i Vorës është i njëjti person me Jorgo Toton, është dhe ai i nxjerrë nga sistemi TIMS, ku veç gjeneraliteteve dhe numrit të pasaportës, është dhe fotoja e tij.

Demokratët akuzuan kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku, se po zvarrit verifikimin, pasi po kërkon t’i marrë shenjat e gishtërinjve Kajmakut, në një kohë kur kjo s’është e nevojshme.

Heshtja e Kryeministrit për rastin e Kajmakut, Partia Demokratike thotë se është një tjetër provë që ai ka qenë në dijeni për të shkuarën kriminale të Kryebashkiakut të Vorës.

Për të gjitha provat e reja për Kajmakun, demokratët thonë se kanë njoftuar dhe selite diplomatike në Tiranë.

Tv Klan