Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka denoncuar një ngjarje të ndodhur më 24 Gusht rreth orës 01:45 të mëngjesit.

Deputeti Alibeaj thotë se dy persona i kanë vendosur zjarrin qëllimisht makinës së Hajredin Serjanaj, nënkryetar i Bashkisë së Mallakastrës, njëkohësisht edhe nënkryetar i degës së PD.

Sipas deputetit demokrat, i cili ka shpërndarë edhe pamjet e kamerave të sigurisë kur duket momenti i zjarrvënies në automjetin e nënkryetarit të Bashkisë Serjanaj, policia po tenton të mbyllë ngjarjen. Alibeaj akuzon se uniformat blu po e trajtojnë ngjarjen si zjarr aksidental.

“Policia e Ramës dhe Xhafës është faktuar edhe në këtë rast se është në shërbim të krimit, jo të qytetarit të ndershëm! Në vend që të bëjë publik rastin dhe të çojë zjarrvënësit para përgjegjësisë penale, me urdhër të nëndrejtorit të Policisë së Fierit, po tentohet mbyllja si shpërthim aksidental. Pavarësisht se policia ka parë me pamje se djegia e makinës është e qëllimshme, shefi i krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër i ka kërkuar zv/kryetarit të Bashkisë Serjanaj ta mbyllin këtë çështje, duke e quajtur aksident, me shpjegimin se kështu do të ishte më mirë për të dy palët. Heshtja dhe mbyllja me presion e nje akti kriminal mund t’i shërbejë qetësisë së pushimeve të Ramës, Xhafës, bandave dhe krimit, me të cilin bashkëqeverisin, por qetësia e tyre është e rreme”,

thuhet në reagimin e deputetit Alibeaj.

Por, ndryshe nga sa thotë deputeti demokrat, deklarata për ngjarjen e ndodhur është bërë publike në komunikatën ditore të Policisë së Shtetit në internet të datës 25 Gusht.

“Në vijim të veprimeve për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit në mjetin tip “BMW”, të shtetasit H.S., 37 vjeç (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh), u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal”.

Është ky njoftimi i Policisë së Mallakastrës, ku thuhet se hetimet janë referuar në bazë të nenit 151 të Kodit Penal, që përcakton si vepër penale “shkatërrim i pronës me zjarr”.

Nga ana tjetër, deputeti Alibeaj dënon këtë sulm ndaj nënkryetarit të Bashkisë Mallakastër dhe kërkon që rasti të zbardhet sa më shpejt.

“Duke dënuar rëndë sulmin ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Hajredin Serjanaj, njëkohësisht, nënkryetar i PD, shpreh vendosmërinë e demokratëve të Mallakastrës, Fierit dhe Shqipërisë për t’i dhëne fund shumë shpejt qetësisë kriminale të kësaj qeverie! Shumë shpejt të pushtetshmit e sotëm do të përgjigjen nesër për çdo paligjshmëri dhe shkelje”

, deklaron Enkelejd Alibeaj.

/tvklan.al