“Rama qeveris me bandat, Lleshaj sillet si bandit”

Atentati i së martës ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një nga zonat më të populluara të Tiranës mbeti i plagosur rëndë Preng Gjini, për selinë blu është dështim i qeverisë në luftën me krimin e bandat.

Sekretari i Përgjithshem në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi Kryeministrin Rama se ka ndërtuar një shtet gangsterësh, duke bërë ortakëri me krimin.

“Bandat vriten në mes të kryeqytetit, në mes të ditës dhe kriminelët nuk kapen, sepse Edi Rama ka dështuar  si Kryeministër. Goditja mafioze, e përjetuar nga shumë qytetarë si një sulm terrorist në një nga qendrat më të populluara të Tiranës, është pasojë e politikës së Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”. Politika “hëngshin kokat e veta” e ka burimin tek pakti i Edi Ramës me krimin, i cili është burimi i pasigurisë së qytëtarëve.  Shumë nga kriminelët që vriten rrugëve kanë marrë leje, licensa, marrin tendera, ndërtojnë pallate, ku pastrojnë paratë e trafikut të drogës. Janë këto para me të cilat financohet fushata e pistë elektorale dhe qendrimi në politikë i Edi Ramës”.

Në shënjestër të akuzave, numri dy në Partinë Demokratike vuri edhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Duke zgjedhur spektaklin e luksit, në vend që të bëjë detyrën për të garantuar rend dhe siguri, Sandër Lleshaj nuk ka asnjë ndryshim nga gangsterët që lëvizin nëpër rrugë me makina superluksoze, ose të vjedhura, ose të blera me para nga aktiviteti kriminal. Ministri sillet si bandit, duke e angazhuar Policinë e Shtetit në luftë me qytetarët dhe jo me krimin”.

Sipas demokratëve, qeveria ka dështuar në zbulimin e të gjitha vrasjeve të bujshme, duke mos çuar përpara drejtësisë asnjë nga bosët e trafikut të drogës. Bardhi tha se siguria do të jetë prioritet kryesor pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet.

Tv Klan