Një vendim i qeverisë i datës 31 Tetor, sipas Partisë Demokratike do të ngarkojë biznesin me një tjetër faturë të rëndë, atë të pajisjes me kasa të reja fiskale. Selia blu thotë se ky vendim është pasojë e tenderit korruptiv për monitorimin e faturave të biznesit, ku fitues i paracaktuar është një firmë kroate.

“Çdo biznes duhet të bëhet gati për të nxjerrë nga xhepat nga 600–1000 euro si faturë për vendimin korruptiv të qeverisë për sistemin e menaxhimit të faturimit të bizneseve. Kërkesat e sistemit të ri detyrojnë çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisjet e reja që mundësojnë transmetim të çdo shitjeje në kohë reale”.

Por Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, sqaroi se vendimi të cilit i referohet Partia Demokratike nuk ka të bëjë aspak me kasat fiskale të bizneseve, por vetëm me sistemet fiskale për kontrollin e sasive në shoqëritë karburanteve dhe pikave të shitjes me pakicë.

“Efekti i kësaj VKM-je shtrihet vetëm mbi rreth 3 mijë sisteme fiskale të lidhura me sektorin hidrokarbur dhe aspak mbi rreth 145 mijë kasa apo pajisje fiskale që përdoren nga bizneset e tjerë në Republikën e Shqipërisë”.

Ahmetaj thotë se në rastin më të mirë deklaratat e Partisë Demokratike janë shfaqje e një paditurie të thellë, ndërsa në rastin më të keq disinformim me dashje i qytetarëve.

Tv Klan