Partia Demokratike me anë të ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, ka hedhur akuza të tjera kundër qeverisë. Në një deklaratë nga selia blu, Mehmeti tha se mësuesit po trajtohen si skllevër dhe qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të siguruar mësim cilësor.

“Mësuesit detyrohen të punojnë me 2, 3 dhe 4 turne, nga 12 orë në ditë, pa pushim, pa ushqim, me një mbingarkesë skllavëruese vetëm për faktin se qeveria refuzon të shtojë fondet për shkollat dhe të rrisë numrin e mësuesve. Me 30 minuta mësim dhe me mësues të rraskapitur, sakrifica e të gjithëve, e nxënësve, prindërve, mësuesve, nuk do të shpërblehet me dije më të mira”, tha ai.

Mehmeti u shpreh se  mësuesit “detyrohen të qëndrojnë edhe mbi 40 orë, duke i shfrytëzuar si skllevër, pa u shqetësuar se, sa më shumë t’i keqpërdorin mësuesit, aq më shumë do të ulet cilësia e mësimdhënies”. Ai thotë se në fund të javës së parë, mësuesit, janë të lodhur, të keqtrajtuar, të mbistresuar nga puna me orë të zgjatura, pa ushqim, pa dalë nga shkolla.

“Heshtja e qeverisë dhe trajtimi i mësuesve si skllevër, duke i kërcënuar edhe me vendin e punës, duhet të marrë fund sa më shpejt. Në mënyrë që fëmijët të mos dalin analfabetë funksionalë nga bankat e shkollës edhe pas këtij viti covid, janë disa masa emergjente që duhen marrë.

Qeveria duhet të miratojë pa vonesë një buxhet shtesë, për vijimin normal të mësimit, i cili do të mbulojë këto nevoja bazike: Shpërblimin e mësuesve për orët e zgjatura. Marrjen në punë të mësuesve të rinj për të mbuluar ngarkesën e turneve. Testimin serologjik dhe me tampon të mësuesve dhe stafit ndihmës. Sigurimin e termometrave, dezinfektantëve dhe kushteve minimale higjeno-sanitare në shkolla. Brenda tetorit, të bëhet certifikimi i shkollave, nëse përmbushin kushtet anticovid”, shtoi zyrtari i PD./tvklan.al.