“T’u sigurohen banesa familjeve të prekura të Thumanës”

Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë të heqë dorë sipas saj nga propaganda dhe t’u japë zgjidhje urgjente banorëve të Thumanës, të cilët në bazë të vendimit të qeverisë me datën 3 Janar duhet të lënë hotelet ku u strehuan pas tërmetit të 26 Nëntorit.  

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi pas takimit që pati me disa prej tyre tha se do t’i drejtohet me një letër si Këshillit të Ministrave, ashtu edhe Bashkisë së Krujës për situatën e krijuar.

“E para, të vijnë t’ju takojnë dhe t’ju informojnë se çfarë do të bëhet me ju. E dyta, Këshilli Bashkiak të rrisë menjëherë bonusin për qiratë. Me 30 mijë lek nuk merret dot shtëpi me qira. Në qoftë se ata mendojnë se ju mund të gjeni shtëpi me qira me 30 mijë lekë, atëherë të lirojnë shtëpitë e tyre. E treta, nëse nuk kanë besim, t’jua gjejnë vetë shtëpinë me qira dhe bashkia ose qeveria ta paguajë vetë atë.”

Bardhi thotë se zgjidhja për qeverinë është anulimi i koncensioneve të parashikuara në buxhetin e vitit 2020.

“Ato 150 milionë euro që do ia japë edhe në 2020-n 10 klientëve të tij me të cilët ndan paratë, t’ia heqë atyre njerëzve dhe t’ua bë në dispozicion të zgjidhjes së hallit të jetës që kanë këta qytetarë. Nuk kërkojnë gjë qejfi por një banesë ku të fusin kokën. Kanë hall jete.”

Banorët e Thumanës të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit paralajmërojnë grevë urie nëse qeveria nuk u garanton mundësinë për një banesë të përballueshme financiarisht për ta.

Tv Klan