PD: Qeveria, tender korruptiv për faturimin e biznesit

PD: Qeveria, tender korruptiv për faturimin e biznesit

19:30 22/09/2018

Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë se me një tender korruptiv dhe të panevojshëm po vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin, duke rritur kostot nga 600 në 1000 euro për çdo biznes.

Sipas Jorida Tabakut tenderi 15 milionë euro heq nga qarkullimi kasat fiskale dhe detyron bizneset të blejnë pajisje të reja për sistemin e ri.

“Qeveria e Ramës ka hapur një tender prej 15 milionë eurosh për monitorimin e sistemit të tatimeve, që përfshin një gamë të gjerë elementësh, duke përfshirë edhe koncesionin e tvsh-së. Kriteret e tenderit janë përcaktuar që atë ta fitojë vetëm një kompani”,

 tha Tabaku.

Ndërsa deputeti Hasa u shpreh se

“sistemi i ri i pagëzuar si sistemi i menaxhimit dhe kontrollit të faturimit do t’i kushtojë biznesit nga 80-100 milionë euro. Me sistemin e ri, qeveria do të detyrojë të gjitha bizneset të ndërrojnë të gjitha pajisjet fiskale dhe sistemet elektronike që kanë në përdorim”.

Akuzave të opozitës i është përgjigjur Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj përmes një postimi në Facebook. Sipas Ahmetaj, sistemi i ri i monitorimit të transaksioneve të biznesit nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin.

“Do të ulen kostot e rënda të sistemit aktual që kemi trashëguar nga koha kur PD imponoi kasa me kosto të paktën 300 euro vetëm për instalimin dhe që e kanë mirëmbajtjen më të shtrenjtë se të veturave, por që sidoqoftë nuk do të jetë aspak kusht që të dalin nga funksioni

“, thotë ministri.

Ai i kujton Partisë Demokratike se platforma e saj është rikthimi i taksës së sheshtë, thënë ndryshe rritje e drejtpërdrejtë e taksave për 97% të të punësuarve dhe mbi 91% të bizneseve.

Sipas Ahmetaj, me paketën e re fiskale 2019, që do të prezantohet në ditët në vijim, vazhdon lehtësimi i mëtejshëm i ngarkesës fiskale për qytetarët dhe biznesin.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT