Dollaku: Vlerësimin inxhinierik e bëra me lekët e mia  

Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër rast të qytetarëve, që edhe pse iu janë dëmtuar banesat nga tërmeti i Nëntorit të shkuar, nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ishte në Shijak ku u njoh nga afër me shqetësimin e familjes Dollaku, shtëpia e të cilës me vendim të Komisionit të Vlerësimit është shpallur e pabanueshme.

Kryefamiljari Shpëtim Dollaku shprehet se jeton me frikë në shtëpinë e tij, pasi muret mbajtëse janë të çara.

“Jam Shpëtim Dollaku nga Shijaku. Jam kryefamiljar, vetë i katërt. Na ra tërmeti dhe shtëpia na ka dalë jashtë përdorimit fare. S’na kanë ardhur. Vetëm një herë na kanë ardhur ato të huajt e s’ka ardhur asnjë të më pyetur. S’kemi marr as ndihmë, as për tërmetin, as për pandeminë, asnjë gjë. Jam pa punë. Dua që nga shteti të vijnë të më rregullojnë shtëpinë, të më japin dëmshpërblimin, lekët. Të më japin lekët. Janë të pabanueshme, shihe. Muret mbajtës janë… flej me frikë me kalamajtë”.

Ai tregon gjithashtu se edhe letrat e tërmetit është detyruar t’i bëjë me shpenzimet e tij.

Shpëtim Dollaku: Vetë o vëlla, shkova i pagova lekët vetë!

Teliti: Pra shkove i pagove dhe lekët për inxhinierët për të bërë vlerësimin?!

Shpëtim Dollaku: Po pagova dhe lekët për inxhinierin edhe s’na dhanë gjë!

Teliti: Dhe në vend që të t’i japin lekët që të takojnë, po të thonë na jep ti lekë ne. Jepi ti lekë shtetit!

Në një tjetër denoncim nga Durrësi, ku ish-deputetja Albana Vokshi u takua me disa familje rome, këta të fundit iu ankuan se janë braktisur nga qeveria dhe pushteti lokal.

Ndërsa ish-deputetja demokrate Grida Duma ishte në Thumanë në familjen Cakoni ku akuzoi Kryeministrin Rama se e përdori fatkeqësinë e saj për propagandë.

Tv Klan