PD: Rama e Gjiknuri të implikuar në aferën e “DH Albania”

PD: Rama e Gjiknuri të implikuar në aferën e “DH Albania”

15:52 23/01/2020

“Kryeministri ka kapur drejtësinë”

Rrëzimi i akuzave për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion nga Prokuroria e Tiranës për aferën e ‘DH Albania’ tek Unaza e Re, sipas demokratëve është bërë me urdhër të Kryeministrit Rama.

Ish-deputeti Agron Shehaj tha se mosndëshkimi i asnjë zyrtari, tregon implikimin e kreut të qeverisë dhe ish-ministrit Gjiknuri në atë që opozita e cilëson aferë korruptive.

“Mbyllja e aferës DH Albania, pa ndëshkimin e asnjë zyrtari, tregon qartazi që Edi Rama ka urdhëruar Prokurorinë për mbylljen e dosjes.  ‘DH Albania’ ishte mekanizmi i Ramës dhe Gjiknurit për të vjedhur dhe për t’i pastruar në SHBA dhjetëra milionë Euro nga taksat e shqiptarëve”.

Për opozitën, kjo është dëshmi e kapjes së drejtësisë nga kreu i qeverisë.

“Varrosja e çështjes nga Prokuroria dëshmon se Edi Rama e ka kapur drejtësinë, e cila sot është garancia kryesore e korrupsionit dhe krimit shtetëror. Edi Rama dhe Damian Gjiknuri dhe jo 26-vjeçari, janë krerët drejtuesit, dhe përfituesit e kësaj afere korruptive”.

Sipas demokratëve, aleanca politikanë-oligarki ka varrosur çdo hapësirë lirie në ekonomi dhe politikë dhe se pa ndëshkuar korrupsionin në Shqipëri nuk do ketë investime të huaja.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi