pd-kuvendi

Partia Demokratike akuzoi krerët e maxhorancës se e trajtojnë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit sipas interesave personale.

Si provë të kësaj Nënkryetari Edmond Spaho solli faktin se dy deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku iu hoq mandati menjëherë, ndërsa për kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës, për shkak se ka përfituar fonde publike pasi është bërë Deputet, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk mblidhet prej 3 javës.

Edmond Spaho – Nënkryetar i PD: “Edi Rama dhe Ilir Meta manifestuan sërish standard të dyfishtë për të njëjtën çështje, duke marrë në mbrojtje Koço Kokëdhimën dhe duke internuar deputetët armiq të partisë. Prej më shumë se 3 javësh, ka një kërkesë zyrtare në Kuvend për heqjen e mandatit të Deputetit Kokëdhima, i cili është kapur duke shkelur Kushtetutën në 150 raste, pasi ka përfituar fonde publike përmes biznesit të tij privat. Edhe pas insistimit të Partisë Demokratike, që rasti i Kokëdhimës të trajtohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, sërish Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë marrë në mbrojtje Deputetin e tyre mik, dhe kanë vepruar me urgjencë ndaj deputetëve të padëshiruar tashmë prej tyre”.

Ky qëndrim i opozitës është hedhur poshtë nga Kuvendi i cili përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, ka sqaruar se Kryetari i parlamentit prej kohësh i ka hapur rrugën procesit dhe e ka përcjellë kërkesën e Partisë Demokratike, në përputhje me Rregulloren e parlamentit tek Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke dëshmuar në këtë mënyrë që, në asnjë rast nuk ka mbajtur një standard të dyfishtë, sikundër pretendohet, në trajtimin e kërkesave të ngjashme.

Zyra e Shtypi sqaron më tej se kjo çështje, për pamundësi objektive të paraqitjes së Deputetit dhe avokatit të tij në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, kërkesa do të trajtohet në mbledhjen e këtij Këshilli me 6 Prill.

Tv Klan