Një ditë pasi kërkuan vënien përpara drejtësisë të gjithë personave me pushtet që kanë kërcënuar me armë nënkomisarin e Krujës Emiljanio Nuhu për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit socialsit, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunim, demokratët kanë vijuar akuzat edhe në adresë të kryeministrit. Edi Paloka foli për një skenar përmes të cilit po tentohet mbyllja e skandalit që opozita thotë se ekspozon lidhjet e bashkëpunëtorëve të kryeministrit me krimin.

“Heshtja e kryeministrit të vendit pasi një vajzë është torturuar nga djali i deputetit të vet; Heshtja e kryeministrit për aktet kriminale të deputetit Rrahman Rraja; Heshtja e kryeministrit për sjelljen prej banditi të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla,  i përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të oficerit të policisë; Heshtja e Edi Ramës, që ka shndërruar Policinë e Shtetit në organizatë kriminale, flet më mirë se asgjë tjetër se ai dhe qeveria e tij është gjysma e bandës në pushtet që mbron bandat dhe banditët që kontrollojnë sot territorin, shtetin dhe policinë.”

Sipas opozitës dëshmia tronditëse e oficerit të policisë Emiljano Nuhu është pasqyra e vërtetë e kriminalizimit të thellë të qeverisjes nën drejtimin e Edi Ramës.

Tv Klan