Partia Demokratike ka denoncuar Kryeministrin Rama se i ka dhënë një tender ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, gjatë kohës që ai është në arrati. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ka publikuar dokumentin e Drejtorisë së Blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme, ku rezulton sipas saj, se kompania Kajmaku është fituese e tenderit prej 5 milionë e 774 mijë lekëve për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra për Qendrën Spitalore Nënë Tereza.

“Agim Kajmaku u arratis në Nëntor 2019, por Edi Rama i dha në Janar 2020 tender 57 milionë lekë. Duke i dhënë miliona lekë një personi në arrati, që ai e emëroi kryebashkiak të Vorës dhe nuk guxoi ta shkarkonte, Edi Rama dëshmon, në mënyrë të përsëritur, se e vetmja gjë që di të bëjë është të palçkisë paratë e shqiptarëve me ca kriminelë, oligarkë dhe të korruptuar. Ky tender kriminal duhet anuluar! Paratë e shqiptarëve nuk mund t’i marrë një i arratisur që e ka vendin në burg!”

Deri më 17 Korrik të 2019-s pronare e kompanisë Kajmaku SHPK ishte Agim Kajmaku, por pas zgjedhjes si kryetar i Bashkisë së Vorës, ai ia kaloi pronësinë bashkëshortes, Merita Kajmakut. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakun dhe dosjen ia ka dorëzuar gjykatës. Mbi të rëndojnë 3 akuza, “Falsifikimi i vulave dhe stampave”, “falsifikim i dokumenteve zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

KQZ i hoqi mandatin për shkak se kishte fshehur një hetim në Greqi, për përdorim të parave false. Kajmaku, akuzohet se shkarkoi dy nënkryetarët e Bashkisë pas heqjes se mandatit dhe emëroi shefin e tij të kabinetit, në postin e kryetarit.

Tv Klan