Partia Demokratike ka vendosur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Në njoftimin për shtyp thuhet se misioni i saj është ndërgjegjësimi i qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend.

Basha është shprehur gjatë mbledhjes se nuk do të zhvillojë asnjë negociatë me Kryeministrin Rama për të zgjidhur krizën politike. Sipas kryedemokratit, largimi i kryeministrit është kusht i panegociueshëm.

Vetëm pak orë pasi Konferenca e Kryetarëve vendosi mbajtjen e një seance me debat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, demokratët akuzuan Kryeministrin Rama se për pushtetin e tij po sakrifikon rendin kushtetues.

“Edi Rama është sot njeriu më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor dhe sigurinë e qytetarëve. Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, ka marrë nën kontroll organet e reja të drejtësisë, përdor si instrumente politikë kundër kundërshtarëve politikë Shërbimin Informativ të Shtetit dhe Policinë e Shtetit, përdor si kamikazë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”

Bardhi përsëriti edhe një herë qëndrimin e demokratëve se krijimi i qeverisë tranzitore për të përgatitur zgjedhje e lira, do të zgjidhte krizën politike.

Tv Klan