“Kanë urdhëruar mësuesit të mbledhin të dhënat personale të prindërve”

Partia Demokratike vijon të akuzojë qeverinë Rama se është angazhuar në çdo hallkë shtetërore në mënyrë që të angazhojë administratën publike në fushatën e partisë dhe deformimin e votës së qytetarëve për zgjedhjet e 25 Prillit.

Ish-deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se pas denoncimit të rastit me spitalin në Peshkopi, në “lojë” kanë hyrë edhe drejtorët e shkollave.

“Drejtorët e shkollave janë urdhëruar të marrin të dhënat personale nga prindërit e nxënësve. Prindërve u është kërkuar në grupet e whatsapp -it që të dërgojnë foto të kartave të identitetit, me justifikimin e teksteve mësimore. Ky është një keqpërdorim skandaloz që u bëhet shkollave, është një politizim i dëmshëm i qendrave të dijes, të cilat po kthehen në organizata partie”, tha Boçi.

Ish-deputeti ndodhej në shkollën “Onufri” ku denoncoi rastin e drejtorit të saj, Ervin Goxhaj.

“Me urdhër politik dhe të paligjshëm u ka kërkuar mësuesve të mbledhin kartat e identitetit të prindërve”, tha Boçi.

Ai paralajmëroi padi penale për Goxhajn.

“Ky është një grup online i një klase në këtë shkollë, ku, në vend të ndahet shqetësimi për mësimin e cunguar dhe pa kushte, nxënësve u kërkohen kartat e identitetit të prindërve, sepse Edi Ramës dhe Taulant Ballës nuk i dalin llogaritë.  Komunikimet elektronike që provojnë këtë ne i disponojmë dhe Drejtori i kësaj shkolle do të çohet menjëherë për ndjekje penale. Kjo do të ndodhë me këdo që do të guxojë të vjedhë identitetin e votuesve shqiptarë përmes mekanizmash të fëlliqur dhe presionit ndaj mësuesve”, tha Boçi./tvklan.al