Partia Demokratike denoncoi të tjera parregullsi në procesin zgjedhor të së dielës. Sipas saj, në 6 bashki të vendit votat rezultojnë të jenë më shumë sesa pjesëmarrja e deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ivi Kaso, Sekretari për zgjedhjet në PD :“Rekordin e mban Ura Vajgurore, ku janë shtuar 1766 vota. Më pas vjen Vau i Dejës me 1057 vota më shumë në kuti, sesa pjesëmarrja e deklaruar.Bashkia Lushnjë me 843 vota. Malësia e Madhe me 665.Bashkia e Bulqizës me 572 vota më shumë.Bashkia e Divjakës me 513 vota më shumë në kuti sesa votues morën pjesë sipas informacionit zyrtar.”

Bashkitë ku janë shtuar vota sipas PD

Ura Vajgurore            1766 vota

Vau i Dejës                1057 vota

Bashkia Lushnje        843 vota

Malësia e Madhe        665 vota

Bashkia e Bulqizës    572 vota

Bashkia e Divjakës    513 vota

Por komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaroi përmes zëdhënëses se për publikimin e të dhënavae  paraprake është  ndjekur e njëjta praktikë si në zgjedhjet e kaluara.

Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve : Të dhënat e pasqyruara nga KQZ në intervale periodike kohore gjatë ditës së djeshme dhe që gjenden edhe në faqen onlinë të institucionit, janë informacione të siguruara në rrugë operative (me telefon) nga Komisionet e Qendrave të Votimit. Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimtare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit.

Për shifrat kontradiktore reagoi me pas edhe Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, i cili kërkoi një hetim administrativ për të dhënat e pasqyruara.

Në rast se të dhënat në shifrat e tabelave përmbledhëse janë kontradiktore atëherë kjo mund të jetë tregues paaftësie në dokumentim ose tregues parregullsie. Se çfarë ka ndodhur në rastin konkret kjo do të zbulohet vetëm nga një proces hetimi administrativ. 

Një ditë më parë pati polemika mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Partisë Demokratike për pjesëmarrjen në zgjedhje ku selia bli foli për shifra të manipuluara.

Tv Klan