Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për dështimin për të siguruar votën e emigrantëve shqiptarë. Në një deklaratë, selia blu thotë se regjistrimi i qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është përgjegjësi e qeverisë. Kampi demokrat thotë se kryeministri nuk e ka përmbushur qëllimisht këtë përgjegjësi të tij.

PD shprehet se nëse vjen në qeverisje do të bëjë të mundur votimin elektronik për çdo qytetar shqiptar, ndërkohë që do të përmbushin angazhimin që Diaspora të votojë në zgjedhje. Në fund, selia blu i bën thirrje emigrantëve që të vijnë në Shqipëri më 25 Prill për të votuar.

Deklarata e PD-së:

Edi Rama është një dështim në çdo drejtim. Pas 8 vjetësh premtime, ai dështoi t’u sigurojë emigrantëve shqiptarë të drejtën kushtetuese të votës në vendin ku ata jetojnë. Regjistrimi i qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë dhe Edi Rama nuk e përmbushi qëllimisht atë.

Për 8 vite me radhë, Rama përdori emigrantët dhe Diasporën për propagandë dhe për abuzim me fondet publike. Rezultati final ishte mashtrimi dhe zhgënjimi i mbi 1 milionë shqiptarëve të Diasporës.

Partia Demokratike, nesër në qeverisje, do të bëjë të mundur votimin elektronik për çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Me votimin elektronik ne përmbushim angazhimin tonë që shqiptarët e Diasporës të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar nga vendi ku jetojnë.

Partia Demokratike u bën thirrje emigrantëve të vijnë në Shqipëri për të votuar në 25 Prill. Së bashku do të bëjmë ndryshimin!/tvklan.al