Sipas Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama ka në plan të uzurpojë sportet. Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja, Albana Vokshi, deklaroi se kreu i qeverisë ka targetuar politikimin e Komitetit Olimpik Shqiptar përmes emërimit të Fidel Yllit.

Sipas opozitës, Rama ka hequr me vendim përcaktimin për të mos lejuar të konkurrojnë në organet drejtuese të Komitetit politikanët aktive me qëllimin që të zgjedhë president Yllin.

Por për selinë blu përfshirja e një politikani aktiv është tentativë për të prishur garën.

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë!

Këto janë ditë të vështira për shumë prej jush. Me mijëra njerëz janë dëmtuar nga përmbytjet, por nuk kanë mbështetje. Me mijëra të tjerë jetojnë akoma në çadra. Qindra e mijëra janë të paounë, por qeveria nuk bën ndonjë përpjekje për t’i punësuar.

Hallet e njerëzve janë të shumta, por Edi Rama mendon vetëm për vete. Së fundmi, plani i tij është të uzurpojë edhe sportet, duke targetuar politizimin e Komitetit Olimpik Shqiptar përmes emërimit të shërbëtorit të tij, Fidel Ylli.

Qeveria që ha mish me flori në Dubai ka zhbërë rregullat që pengonin kontrollin nga politika të sportit.

Deri pak kohë më parë, në statutin e Komitetit Olimpik, që miratohet nga Ministria e Arsimit, përcaktohej se “nuk lejohet që politikanë aktivë të konkurrojnë për të qenë në organet drejtuese të Komitetit”.

Arsyeja për të cilën ky përcaktim është hequr ka lidhje me vendimin e  Edi Ramës për të zgjedhur president të Komitetit Olimpik Shqiptar deputetin e tij Fidel Ylli.

Përfshirja e një politikani aktiv, deputet i Partisë Socialiste është tentativë për të prishur garën, eshtë emërim i dhunshëm i një politikani në sport, kundër çfo standardi botëror.

Plani i Edi Ramës për të kapur edhe organizmat e pavarur të sportit është i dëmshëm për sportin dhe si i tillë i papranueshëm.

Për Partinë Demokratike, Komiteti Olimpik Shqiptar duhet të mbetet një organizëm i pavarur, në mënyrë që të mos i shërbejë interesave të pushtetit, por sportistëve të talentuar dhe imazhit të Shqipërisë në botë./tvklan.al