21 -vjet pasi qëlloi me armë në parlament deputetin Azem Hajdari ,në 18 shtator të 1997, socialisti Gafurr Mazreku propozohet të shpallet qytetar nderi nga ana e Këshillit Bashkiak të Hasit, me motivacionin “personalitet, intelektual për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. Dokumenti u publikua nga Partia Demokratike, e cila përmes deputetit Flamur Noka akuzoi kryeministrin Rama se qëndron pas këtij vendimi që e cilësoi skandaloz.

“Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.”

Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit për demokratët është modeli që kryeministri ka ndjekur që pas ardhjes në pushtet.

“Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata. Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i Saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës.”

Opozita thotë se mbledhja e Këshillit Bashkiak të Hasit për propozimin e kreut të bashkisë është parashikuar të mbahet të hënën.  Por ajo i kërkon kryeministrit të tërhiqet nga vendimi skandaloz që ajo thotë se vret për herë të dytë liderin e lëvizjes së dhjetorit Azem Hajdari.

Tv Klan