PD: Raporti i OSBE-ODIHR skanoi shtetin privat të Ramës

PD: Raporti i OSBE-ODIHR skanoi shtetin privat të Ramës

15:43 06/09/2019

“Zgjedhjet jo demokratike”

Për Partinë Demokratike konstatimet negative në raportin e OSBE-ODIHR/-it gjatë procesit të 30 Qershorit janë përgjegjësi e qeverisë dhe aspak e opozitës. Numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi pas deklaratës së bërë nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj tha se misioni ndërkombëtar i vëzhguesve skanoi në raport shtetin privat të Kryeministrit duke arritur në përfundimin se zgjedhjet ishin jo demokratike.

“Nuk ka opozita asnjë përgjegjësi që sipas OSBE/ODIHR-it punonjësit e administratës shtetërore dhe ndërmarrjeve shtetërore kanë qenë nën presion për largim nga puna, apo për përdorimin e KQZ. Raporti nuk është një skanim i një procesi antikushtetues i votimeve të 30 Qershorit, ai skanon të gjithë shtetin privat që ka ndërtuar Edi Rama. Është detyrë e qeverisë të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”.

Reforma Zgjedhore është vendosur në krye të prioriteteve të opozitës, madje miratimi i saj brenda vitit me konsensusin e të gjitha palëve u kërkua edhe nga zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Dejvid Kostelancik. Por shqetësuese për opozitën vijon të mbetet mungesa e vullnetit politik të Kryeministrit për të zbatuar ligjin.

“Më shumë se sa Reformë Zgjedhore, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme është vullneti politik. Nuk mundet Kodi Zgjedhor të parandalojë Ramën që një falsifikator të kërkuar në Greqi, ta kandidojë në Bashkinë e Vorës, siç është Agim Kajmaku. Nuk i thotë Kodi Zgjedhor Edi Ramës të zgjedhë një trafikant droge në Shkodër, si Valdrin Pjetri, është vullneti i tij politik për të zgjedhur një trafikant droge”.

Ndaj, për zgjidhjen e krizës, opozita propozon një platformë kombëtare në të cilën të përfshihet një reformë e thellë zgjedhore dhe ndryshime të thella sa i përket shtetit të së drejtës.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT