PD: Raporti i “TIA” konfirmoi denoncimet e PD



PD: Raporti i “TIA” konfirmoi denoncimet e PD

17:10 16/12/2020

Korrupsioni i qeverisë mban emra ministrash e zyrtarësh të lartë

Demokratët e lexojnë raportin e Transparency International si pasqyrë të dështimit të qeverisë, në të cilin  gjejnë vend denoncimet e opozitës.

Sipas selisë blu, niveli i lartë i korrupsionit dhe ligjet preferenciale e kanë kthyer ekzekutivin në zëdhënës të oligarkëve, klientëve dhe krimit të organizuar.

Jorida Tabaku: Ligjet preferenciale si ai i Koporatës së Investimeve, ligji special për teatrin, ligjet që ulin taksa për sektorë si minierat, ndërkohë rrisin taksat për 97% të bizneseve janë qartazi shembuj të kapjes së shtetit. Transparency International ngre alarmin se gjatë qeverisjes së Edi Ramës është ngritur një sistem korruptiv, që mund të konsiderohet si kapje e shtetit! Sundimi i ligjit është i minuar vazhdimisht. Motivimi kryesor është kapja e shtetit për përfitime private. Kjo çon në shpërdorim të gjerë të detyrës publike. Raporti flet për ofertat e pakërkuara që kanë prishur tregun dhe konkurencën dhe çdo kontratë koncesionare në infrastrukturë është dhënë pa garë.

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se korrupsioni në faqet e raportit mban emra ministrash dhe zyrtarësh të lartë të Partisë Socialiste.

“Aty përmenden me emër dhe mbiemër njerëzit kryesorë që kanë blerë vota me krimin dhe kanë lehtësuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Vangjush Dako, bashkëpunoi me klanin kriminal Avdulaj në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve në këmbim të trajtimit të favorizuar në institucionet lokale. Raporti flet për Saimir Tahirin dhe Damian Gjiknuri. Të parin e përmend për lidhjet me grupin Kriminal të Habilajve dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës gjatë 4 viteve të para të mandatit të Edi Ramës. Mëkëmbësin tjetër Damian Gjiknuri, raporti e përmend si të akuzuar për aferën me CEZ, me të cilën i shkaktuan një dëm kolosal ekonomisë”.

Sipas Partisë Demokratike, vendi ka nevojë për një qeversje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve dhe se tashmë është koha për ndryshim.

Tv Klan






Të ngjashme